Secondary Adv

Moti i keq, rrezik përmbytjesh në disa qytete, autoritetet apel qytetarëve për kujdes

Reshje intensive shiu dhe erëra të forta do të prekin vendin për 48 orët në vijim, duke rritur rrezikun e përmbytjeve në disa zona të veriut dhe ultësirës perëndimore.

Reshjet e dendura që kanë nisur këtë të martë kanë shkaktuar probleme të shumta në ultësirën e bashkisë Krujë, veçanërisht në fshatrat Bilaj, Murqinë dhe Mallkuc. Autoritetet paralajmërojnë se moti i keq do të përshkallëzohet dhe se veriu i vendit mbetet zona me rrezikshmërinë më të lartë.

 

Bashkëpunim i prefektëve dhe bashkive për menaxhimin e situatës

Në një mbledhje me 12 prefektë dhe kryetarë bashkish, u kërkua koordinim i ngushtë me institucionet qendrore për marrjen e masave parandaluese. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, u bëri thirrje bashkive të kërkojnë me urgjencë ekskavatorë me krahë të gjatë dhe mjete me kalueshmëri të lartë për të ndërhyrë në zonat problematike. Sipas tij, disa prej përrenjve dhe shtratrave lumorë nuk kanë pritën e nevojshme, duke rritur riskun për banorët.

 

Bllokime dhe evakuime në zonat malore

Problemet e para u raportuan në Shkodër, ku pesë mjete dhe nëntë persona mbetën të bllokuar në aksin Breg Lumi–Theth për shkak të shembjes së një masivi inertesh. Strukturat e Mbrojtjes Civile konfirmuan se banorët e bllokuar në Nderlysaj janë evakuuar dhe ndodhen jashtë rrezikut. Ministri Vengu inspektoi hidrocentralin e Vaut të Dejës dhe pritet të mbledhë Komitetin e Emergjencave Civile për vlerësim të mëtejshëm.

 

Masat në Vlorë dhe parashikimi i reshjeve në jug

Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, ndodhet në Vlorë për të koordinuar masat me strukturat vendore përballë reshjeve të dendura që pritet të intensifikohen pas mesnatës. Ai kërkoi angazhim maksimal në terren dhe reagim të menjëhershëm ndaj çdo problematike që mund të shkaktojnë prurjet e larta.

 

Përmbytje dhe mungesë energjie në Lezhë

Reshjet e shiut kanë krijuar vështirësi të mëdha në qytetin e Lezhës, ku sistemi i kanalizimeve nuk ka përballuar prurjet, duke sjellë përmbytje në lagjen “Besëlidhja” dhe bllokun “11 Janari”, me nivel uji deri në 40 centimetra. Përmbytje janë raportuar edhe në aksin Lezhë–Shëngjin, ndërsa disa zona bujqësore në Kallmet janë nën ujë pas daljes së kanalit të ujërave të larta. Mungesa e energjisë është e përhapur në pjesë të ndryshme të qarkut.

 

Situatë problematike në Fushë-Krujë dhe Vlorë

Fushë-Kruja vijon të jetë ndër zonat më të prekura, me përmbytje në Murqinë dhe fshatrat përreth, ku kanalet e papastruara kanë rritur rrezikun për banesat nëse reshjet vijojnë me intensitet. Në Vlorë, era e fortë ka rrëzuar disa pemë në zonën e Skelës dhe Pyllin e Sodës, duke krijuar probleme për qarkullimin.

 

Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat